Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Ligjeve, për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj e cila është shoqëruar me debate të forta mes këshilltarëve socialistë dhe atyre të opozitës.
Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar që të merret në shqyrtim edhe kërkesa e tyre e depozituar disa muaj më parë, e cila ka të njëjtin objekt: shkarkimin e Veliajt për mungesë të zgjatur në detyrë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PS-së kanë këmbëngulur se rrethanat janë të reja dhe u fut në rendin e ditës vetëm kërkesa e paraqitur nga grupi i tyre.
Këshilltari demokrat, Dorian Teliti, ka kërkuar që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe ka kërkuar vetë kryetari i Bashkisë. Në përfundim, nuk është pranuar nga këshilltarët e mazhorancës që Veliaj të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet.
Në orën 15:00 pritet të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak, e cila do të diskutojë për vendimmarrjen e Komisionit të Ligjeve dhe nëse kjo kërkesë do t’i kalojë Këshillit të plotë për shqyrtim.
Mbledhja përfundimtare e Këshillit Bashkiak është caktuar për orën 16:00, ku pritet të diskutohet zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë.