Home / Kronikë / Shkeli lejen e miratuar, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq ndërtuesin, ish-kryeinspektorin dhe ekspertin

Shkeli lejen e miratuar, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq ndërtuesin, ish-kryeinspektorin dhe ekspertin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas, të akuzuar për shkelje të rënda ligjore në ndërtimin e një objekti në Lushnje.

Në kuadër të procedimit penal, Prokuroria ngriti akuzë ndaj:

N.Q., për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal;

Gj.M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

E.S., për veprën penale “Ekspertimi i rremë”, parashikuar nga neni 309/1 i Kodit Penal.

Hetimet dokumentuan se ndërtimi i kryer nga subjekti ndërtues në lagjen “Kongresi”, Bashkia Lushnje, është realizuar në shkelje të kushteve të lejes ndërtimore. Konkretisht, investitori N.Q., pasi ishte pajisur me leje ndërtimi, ka kryer punime përtej projektit të miratuar, duke tejkaluar lejen me një sipërfaqe prej 276.6 m², ose 77% të ndërtimit.

Nga ana tjetër, hetimet nxorën përgjegjësi edhe mbi strukturat inspektuese vendore të Bashkisë Lushnje. Sipas Prokurorisë, ish-kryeinspektori i IMT-së, Gj.M., nuk ka ushtruar siç duhet detyrat funksionale për kontrollin e territorit dhe monitorimin e lejeve ndërtimore.

Ndërkohë, eksperti E.S. akuzohet se, në aktin e ekspertimit, ka paraqitur të dhëna të rreme mbi sipërfaqen reale të ndërtimit, duke raportuar shifra më të ulëta nga ato që ishin ndërtuar në terren.

Prokuroria e Fierit ka deklaruar angazhimin e saj për të çuar para drejtësisë çdo shtetas që shkel regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, si dhe punonjës publikë që abuzojnë me detyrën ose kryejnë vepra penale kundër interesit shtetëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *