Home / ⁠Kryesore / Skandal i One Albania! Bllokime faqesh dhe pasiguri

Skandal i One Albania! Bllokime faqesh dhe pasiguri

Skandali që po shpërfaqet në rrjetin e One Albania, nuk është një incident teknik i zakonshëm, është një kambanë alarmi për të gjithë qytetarët dhe për vetë të ardhmen e internetit të lirë në Shqipëri.

Kur faqja zyrtare e Kryeministrisë dhe mediat online renditen si “të pasigurta”, dhe kur përdoruesit shohin paralajmërime që i bllokojnë qasjen në informacion, nuk kemi më të bëjmë me “gabime teknike”, por me një praktikë që i ngjan censurës së hapur.

Vendosja e pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) – edhe nëse justifikohet me “bllokimin e TikTok-ut” – është një precedent i rrezikshëm. Pa një kornizë të qartë ligjore, pa transparencë dhe pa mbikëqyrje të pavarur, kjo teknologji kthehet lehtësisht në një mjet për kontroll masiv, shkelje të privatësisë dhe frikësim të lirisë së shprehjes.

Sot është TikTok-u, nesër mund të jetë çdo faqe që dikujt i duket e papërshtatshme: media kritike, platforma opozitare apo zëra të pavarur. Paralajmërimet e rrezikshme që shfaqen në ekranet e qytetarëve po gërryejnë besimin ndaj ofruesve të shërbimit dhe po minojnë themelin e besimit publik në internet si hapësirë e lirë.

Publik.al ngre pyetjen thelbësore:

A është ky vetëm fillimi i një modeli të ri censurimi? Dhe kush do ta ndalë nesër kur DPI të shndërrohet në armën më të sofistikuar të mbikëqyrjes?

Shqipëria nuk mund të pranojë që liria e informacionit të negociohet pas dyerve të mbyllura. Kjo është një çështje që kërkon reaksion të menjëhershëm publik, hetim parlamentar dhe përgjegjësi institucionale, përpara se “bllokimi i TikTok” të bëhet vetëm preteksti i parë i një kontrolli shumë më të gjerë./ Publikuar nga Publik Media

Tagged:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *