Home / ⁠Kryesore / Spiunazh në favor të inteligjencës serbe, Gjykata zgjat paraburgimin për të akuzuarën

Spiunazh në favor të inteligjencës serbe, Gjykata zgjat paraburgimin për të akuzuarën

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka zgjatur masën e paraburgimit për dy muaj Jellena Gjukanoviç, që akuzohet për spiunazh në favor të inteligjencës serbe.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se gjykatësi i çështjes ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zgjatjen e paraburgimit prej dy muajsh dhe kjo masë “do të llogaritet deri më 18 nëntor”.

E akuzuara ka mohuar fajësinë gjatë seancës fillestare të mbajtur më 16 shtator. Avokati i saj kishte kërkuar që paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak, por kjo kërkesë nuk ishte pranuar nga gjykatësi.

Gjukanoviç nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori special, Bekim Kodraliu, deklaroi se Gjukanoviç, me informacionet e transmetuara tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Sipas Kodraliut, e akuzuara ka qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviç, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviç, zyrtar tjetër i saj.

“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, tha prokurori gjatë seancës fillestare.

Sipas tij, Gjukanoviç ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiç, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.

Përmes këtij roli, tha ai, e akuzuara ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Kodraliut, Gjukanoviç ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.

Kodi Penal i Kosovës e cilëson spiunazhin vepër të rëndë penale, të ndëshkueshme me të paktën pesë vjet.

Së fundmi, në Kosovë janë arrestuar disa persona nën akuza për spiunazh në favor të Serbisë.

Po ashtu, në Kroaci u arrestua një serbe tjetër nga Kosova dhe partneri i saj kroat, nën dyshimet për spiunazh.

Ushtarë të KFOR-it duke patrulluar pranë pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, më 28 shtator 2021.

Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rastet e fundit të spiunazhit, sipas ekspertëve, janë tregues se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *