Një sulm me armë zjarri drejt një lokali në zonën e Višnjicka Banja në Beograd ka lënë të plagosur rëndë pesë persona.
Sipas raportimeve nga mediat serbe, mësohet se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës14:23, ku një person i panjohur ka hapur zjarr me armë zjarri, duke plagosur pesë persona, tre burra dhe dy gra,
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Qendrën e Urgjencës, ku po marrin trajtimin mjekësor. Një nga gratë, për të cilën fillimisht dyshohej se kishte ndërruar jetë në vendngjarje, ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Policia është ende në vendngjarje dhe po zhvillon hetimet, ndërsa një grup tjetër është vënë në lëvizje për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas dëshmive të marra nga vendngjarja, ngjarja ka ndodhur papritur.
“Po punonim dhe papritur dëgjuam të shtëna. Nuk ishte breshëri, por u dëgjuan disa herë nga disa plumba. Më pas u dëgjua thyerje xhamash, ndoshta të lokalit ose makinave,” tha një punëtor i një servisi afër për gazetën Kurir.
Ai shton se autori i dyshuar erdhi me një furgon të bardhë, ndaloi para lokalit, zbriti me agresivitet dhe bërtiti “Me kë ishin zënë?”, përpara se të qëllonte. Më pas, ai u largua me të njëjtin furgon. Po ashtu, thuhet se te një nga mysafirët e lokalit është gjetur një armë zjarri.
“Tmerr! Mendoj se sërish kanë pësuar të pafajshmit,” shtoi dëshmitari.
Në vendngjarje kanë mbërritur grupe të të rinjve, të njohur apo të afërm të viktimave, që përqafohen dhe qajnë të shokuar nga ngjarja.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një nga plumbat ka goditur edhe një automjet të parkuar pranë lokalit. Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke udhëhequr hetimin.