Home / Sport / Trajneri i Burnleyt kërkon durim për Armando Brojën

Trajneri i Burnleyt kërkon durim për Armando Brojën

Trajneri i Burnley-t, Scott Parker, ka bërë thirrje për durim dhe qetësi ndaj sulmuesit shqiptar Armando Broja, i cili ende nuk ka arritur të tregojë formën më të mirë pas transferimit nga Chelsea këtë verë.

Broja, 24 vjeç, nuk ka debutuar ende si titullar në Premier League me skuadrën e tij të re, ndërsa aktivizimet e vetme si titullar i ka pasur në Carabao Cup kundër Derby County-t dhe Cardiff City-t.

Në të dyja rastet, sulmuesi i kombëtares shqiptare u pa larg ritmit optimal, duke treguar qartë se i mungojnë minutat në këmbë pas një periudhe të gjatë të vështirë me dëmtime serioze.

“Mendoj se Armando ka nevojë për shumë punë në këtë moment. Ai nuk ka luajtur shumë futboll në dy vitet e fundit. Duhet të jemi të gjithë të qetë me të. Kundër Cardiff-it pamë një version më të mirë të tij krahasuar me ndeshjen e kaluar, por është e qartë që i duhen më shumë minuta, më shumë stërvitje dhe vazhdimësi. Ai do të jetë vendimtar për ne këtë vit, por duhet të kujdesemi për të dhe t’i japim kohën që i duhet”, tha tekniku anglez.

Burnley u eliminua nga Carabao Cup pas humbjes ndaj Cardiff City-t, në një mbrëmje ku jo vetëm Broja, por edhe pjesa tjetër e skuadrës nuk dha nivelin e pritur. E vetmja notë pozitive ishte goli i parë i sezonit për Zian Flemming.

Megjithatë, Parker mbetet optimist se me punë dhe durim, Armando Broja do të kthehet në një pikë kyçe për suksesin e Burnley-t gjatë këtij sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *