Transporti publik nuk do të jetë më në varësi të bashkive, por nga shtatori i vitit 2026, autobusët bashkë me hapësirën ku do të parkohen dhe biletat të cilat pritet të jenë elektronike do të administrohen nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar aktualisht nga Belinda Balluku.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës ngritjen e shoqërisë “MobAI” e cila do të jetë me kapital 100 për qind shtetëror.
“Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike; operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë; arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike dhe krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.” – thuhet në vendimin e Qeverisë.
Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksionar i vetëm. Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të transferohet nga buxheti i ministrisë, ndërsa “MobAl” më pas do të funksionojë me vetëfinancim.
“Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl” janë të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës; të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor; të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi dhe grantet, huatë, subvencionet.” – thuhet në vendimin e Qeverisë.
Sipas vendimit, shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
VENDIMI I PLOTË
VENDIM PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE “MOBAL”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 % shtetëror, me emërtimin “MobAl”, sh.a., me qëllim ofrimin e shërbimit të operimit dhe organizimit të transportit publik rrugor.
- Shoqëria “MobAl”, sh.a., ofron kundrejt pagesës shërbimin e operimit dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
- Shoqëria “MobAl”, sh.a., sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon me dy nivele administrimi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
- Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., është 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. Vlera prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh transferohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pranë shoqërisë “MobAl”, sh.a., menjëherë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve të shoqërisë dhe, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për:
- a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit. - Organet drejtuese të shoqërisë “MobAl”, sh.a., sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Detyrat dhe pёrgjegjёsitё e Asamblesё sё Pёrgjithshme, Kёshillit Mbikёqyrёs, Administratorit, si dhe organizimi dhe funksionimi i shoqërisë janë, sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe parashikimeve në statutin e shoqërisë “MobAl”, sh.a.
- Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë:
- a) operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike;
b) operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve, përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë;
c)organizimin dhe sigurimin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së operimit, përfshirë parkun e autobusëve, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik, serverat për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe çdo shërbim ose element tjetër të nevojshëm për funksionimin e shërbimit;
ç) arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike;
d) organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
dh) krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve. - Shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
- Shoqëria “MobAl”, sh.a., financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe nga burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
10. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e përfaqësuesit të pronarit shtet, me qëllim përmbushjen e misionit të shoqërisë, siguron injektim kapitali për shoqërinë, brenda fondeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor”. - Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl”, sh.a., janë:
- a) të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës;
b) të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor;
c) të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi;
ç) grantet, huatë, subvencionet. - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguron shoqërisë “MobAl”, sh.a., mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
- Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2025, në programin “Transporti rrugor”.
- Shërbimi i ofruar në shkronjën “c”, të pikës 7, të këtij vendimi, i fillon efektet në shtator të vitit 2026.
- Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.