Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje mbi një hetim të gjerë për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë, gjakmarrje dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, hetimi i nisur më 16 shtator 2025, në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet e disa shteteve europiane, ka zbuluar një skemë kriminale të organizuar nga shtetas shqiptarë që kanë porositur dhe ekzekutuar vrasje kundrejt shumave të mëdha parash.
Në qendër të hetimeve është vrasja për gjakmarrje e Klevis Lleshit, ndodhur më 5 gusht 2020 në Burrel. Trupi i tij u gjet disa muaj më vonë i varrosur në fshatin Shpërdhet, Kurbin. Nga provat rezulton se Lleshi u ekzekutua me armë zjarri kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Si porositës dhe drejtues i grupit dyshohet shtetasi A.K (alias A.H), i cili kërkoi hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij në Britani në vitin 2012. Ndërmjetës në ngjarje dyshohet A.K, ndërsa ekzekutor S.N. Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.
SPAK bën me dije se A.K ka ngritur një grup të strukturuar kriminal që merrej edhe me pastrimin e parave të fituara nga trafiku i drogës nga Amerika e Jugut drejt BE-së dhe Shqipërisë, të investuara më pas në pasuri të paluajtshme dhe biznese për të fshehur origjinën e paligjshme.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”për katër persona:
A.K (alias A.H), i lindur më 1989, porositës dhe organizator i vrasjes;
S.N, 1994, ekzekutor i dyshuar;
S.K, 1982, i përfshirë në vrasjen e Lleshit, u arrestua në Itali;
S.L 1994, i përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale.
Ndërkohë, A.K (alias A.H) vijon të jetë në kërkim.
SPAK falënderoi Policinë e Shtetit, BKH-në, Europol, Eurojust dhe autoritetet e Italisë, Francës, Belgjikës, Holandës e Gjermanisë për ndihmën në këtë operacion ndërkombëtar.